“Hollywood Film Awards”, një ceremoni mes skandaleve seksuale

06/11/2017 10:44

Sezoni i çmimeve u çel në “Hollywood” me edicionin e 21-të të “Hollywood Film Awards” në “Beverly Hills”, ku ndryshe nga ceremoni të tjera, vlerësimet shpallen përpara shfaqjes.

Për këtë arsye, se cilët janë filmat dhe aktorët e privilegjuar, kjo dihet që në fillim: Gary Oldman me një çmim karriere; Jake Gyllenhaal, aktori më i mirë; çmimi i aktorit më të mirë joprotagonist i takoi Sam Rockëell. Te femrat, aktorja më e mirë u shpall Alison Janney dhe ajo në rol dytësor Mary J. Blige.

Ashtu siç është e pashmangshme që të ndodhte, bisedat gjatë këtij sezoni shpërblimesh u dominuan jo nga filmat, por nga skandali i ngacmimeve seksuale që ka tronditur qendrën e industrisë amerikane të filmit.

“Së pari duhet krijuar një hapësirë mbrojtjeje për viktimat, që të arrijnë të flasin pa frikë. Sistemi gjyqësor duhet të merret më shumë me ngacmimin seksual, sepse duket sikur ka një boshllëk në këtë drejtim”, tha Denis Villeneuve, regjisor.

“Shpresoj që të ketë një ndryshim sistematik të situatës. Shpresoj që të gjitha ato gra dhe burra të guximshëm që folën, të dëgjohen, e për rrjedhojë ndryshimi të prodhohet vërtet. Unë vet jam shumë i interesuar për të vërtetën”, tha Jake Gyllenhaal, aktor.

“Mendoj se me gjërat që po ndodhin në Hollywood është vërtet koha për të ndryshuar diçka. Njerëzit kanë abuzuar me pushtetin gjithmonë, e jo vetëm këtu. Ama unë besoj se jetojmë në një botë ku gjëra të tilla nuk tolerohen më dhe them se, prej kësaj të keqeje do të dalë diçka e mirë”, tha Allison Janney, aktore.

Në mesin e fituesve të tjerë ishte edhe Angelina Jolie, me filmin më të mirë në gjuhë të huaj, “First They Killed My Father”; Joe Wright si regjisori më i mirë për “Darkest Hour” dhe shpërblimi i ansamblit për “Mudbound”.

FOTO GALERI
2/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA