Ervin Skela, ambasador mes ikonave të Gjermanisë

06/11/2017 00:45

Ervin Skela është përzgjedhur në bordin e ambasadorëve përfaqësues të klubit Eintracht Frankfurt përkrah emrave legjendë të futbllit gjerman.

Tre kampionë bote, lojtarë rekord të Bundesligës, fitues të kupës UEFA dhe të Kupës së Gjermanisë, janë emrat e përzgjedhur për të përfaqësuar emrin e Eintracht në të gjithë botën.

Në një mbrëmje spektakolare, të zhvilluar të shtunën në mbrëmje në Alter Oper të Frankfurtit, ku ishin të pranishëm 2200 personalitete të sportit, kampionë bote, trajnerë me emër, biznesmenë, artistë dhe shumë personazhe të tjera, si Nico Rosberg e Boris Becker është bërë prezantimi i 8 emrave që kanë shkruar historinë e klubit gjerman.

Lista e e 8 ambasadorëve fillon me Jurgen Grabowski, kampion bote 1974, Bernd Hölzenbein golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave për Frankfurtin me 160 gola në 420 ndeshje, Karl-Heinz Körbel si lojtari me numrin më të madh të ndeshjeve me Eintracht(602), Ronald Borchers fitues i Kupës UEFA dhe Kupës së Gjermanisë, Uwe Bein pjesë e Gjermanisë kampione 1990, Dragoslav Stepanovic një nga trajnerët më të suksesshëm të klubit, Uli Stein është portieri që mban rekordin me 645 ndeshje në futbollin profesionit gjerman dhe Ervin Skela që plotëson këtë skuadër, si futbollisti që udhëhoqi Frankfurtin në rikthimin legjendar në Bundesligës në vitin 2003.

Ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm që klubi i Eintracht Frankfurt i bën Ervin Skelës, i cili prej shumë vitesh vazhdon të bashkëpunojë për këtë skuadër, si një përgjedhës i talenteve. Skela është shprehur shumë i emocionuar për vlerësimin që i ka bërë klubi i Eintracht Frankfurt, duke e cilësuar këtë padyshim vlerësimin më të madh të karrierës së tij në futbollin gjerman.

Top Channel