Boca triumfon në “El Monumental”, në “thrillerin” me dy kartonë të kuq

06/11/2017 11:36

Boca Juniors arriti të fitojë 2-1 ndaj River Plate, në “derbin” më të famshëm të botës ku nuk mungojnë asnjëherë përplasjet, kartonat, por edhe golat. Ishte thjesht “Superklasikja” e Argjentinës…

Dy rivalët e përjetshëm përballeshin në “El Monumental”-in e Buenos Airesit, stadiumi ku zhvillon ndeshjet River Plate i “të pasurve”, ndërkohë që “djemtë e rrugës” të Boca Juniorsit luajnë në mitikun “La Bombonera”.

Spektakli në shkallët e stadiumit nuk mungoi, me tifozët që krijuan një atmosferë sa të bukur edhe të zhurmshme, duke hedhur shirita tejet të gjatë bardhekuq nga shkallët drejt fushës, me këtë të fundit që u kthye si një “det kuqebardh” për të frymëzuar futbollistët vendas. E ndryshe nga futbolli europian, këtu lejohen edhe spektaklet piroteknike me fishekzjarrë.

Ky ishte edhe dueli i 200-të “Superclasico” në elitën e futbollit argjentinas mes dy skuadrave më të famshme. Jo më kot quhet si ndeshja më intensive në botën e futbollit, kjo sepse spektaklit të tifozëve në shkallët e stadiumit iu përgjigjen në fushë edhe lojtarët.

Dy kartona të kuq u morën gjatë ndeshjes, por Boca arriti të merrte fitoren në fund falë një goli fluturimthi të Nahitan Nandez kur kishin mbetur edhe 17 minuta për t’u luajtur. Tashmë Boca është 9 pikë më shumë sesa ndjekësit në kampionatin argjentinas. Por golin e avantazhit, ekipi “Xeneizes” e mori pas një goditjeje dënimi për lojën e rëndë të Nacho Fernandez, i cili doli me të kuq përpara fundit të pjesës së parë.

Edwin Cardona shfrytëzoi në maksimum aftësitë e tij nga gjuajtja me top të ndaluar, duke kaluar topin pas shpinës së German Lux. Megjithatë, edhe autori i golit të Bocës shënoi një rekord negativ: ai u bë golashënuesi i parë që ndëshkohej me të kuq në një “Superklasike”, që prej vitit 2010 kur ishte Gary Medel që bënte diçka të ngjashme. Cardona u akuzua se gjuajti me bërryl Enzo Perezin.

Pas pjesës së parë, Leonardo Ponzio do të lëshonte një predhë nga një distancë e largët, për ta pushuar topin pas shpinës së portierit të Bocës. Gjithsesi gëzimi i Riverit do të zgjaste vetëm 4 minuta. River Plate ka humbur kështu ndeshjen e tretë radhazi në të gjitha kompeticionet, ndërsa Boca ka fituar të 8 ndeshjet e fillimsezonit, duke e vënë veten si pretendenten kryesore për titullin e 33-të kampion në Argjentinë.

FOTO GALERI
14/17

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA