Superiorja, Teuta nuk shkon më shumë se barazimi 1-1 me Laçin

04/11/2017 19:16

Java e fundit e Superiores është mbyllur, për këtë të shtunë, me barazimin e “djemve të detit” përballë kurbinasve.

As pezullimet dhe as ndëshkimet nuk kanë bërë që Teuta e drejtuar nga Magani të rikthehet tek ai fillim i mbarë i sezonit, duke mos shkuar më shumë sesa rezultati 1-1 me Laçin.

Për bregdetarët shënoi fillimisht mbrojtësi Dediç, por kurbinasit e Laçit rikthyen shumë shpejt barazpeshën në “Niko Dovana”, me autor goli Nikën.

Në pjesën e dytë, Teuta tentoi deri në fund ta fitonte ndeshjen, por laçianët arritën të mbronin rezultatin, që duhet thënë ishte “fytyra” e vërtetë e asaj që u dha në fushë.

Ky barazim nuk përmirëson aspak situatën e trazuar te Teuta, që pas javës së kaluar pa Maganin të dorëhiqej e më pas t’i refuzohej dorëheqja, ndërkohë që presidenti Hasanbelliu përjashtoi lojtarin Albi Dosti e gjobiti dy të tjerë.

Top Channel