Trajneri i Kukësit, Mladen Milinkoviç, para transfertës në Vlorë, ka bërë apel për fitore, teksa është shprehur se nuk pranon më hapa fals, nga të tijët.
“Do të marrim rezultat pozitiv në Vlorë. Nuk presim hapa fals të tjerë, pas atij me Vllazninë, por do marrim maksimumin e pikëve. Flamurtari po kaon një periudhë të mirë, kanë lojtarë të mirë, ekip të kompletuar dhe të motivuar, pas fitores me Partizanin. Por edhe ne jemi të mobilizuar dhe jemi stërvitur mirë për ta fituar këtë ndeshje. Nëse shfaqim atë që kemi shfaqur në stërvitje, jam shumë i sugurt që do dalim fitues në Vlorë”, tha Milinkoviç.
Trajneri i Kukësit u shpreh se nuk mendon për merkaton e janarit, por është përqendruar për të nxjerrë në pah fytyrën e vërtetë të skuadrës aktuale dhe rikuperimin e të dëmtuarve.
“Nuk mendoj për merkaton e janarit, unë dua që deri në janar skuadra të marrë pikët e mundëshme, pastaj mund të bëjmë ndonjë goditje të mirë, por e rëndësishme është që të tregojmë fytyrën tonë, përsa i përket përformancës dhe pikëve. Nuk jam trajner që kërkoj justifikime, por nëse do kishim Shametin, Musollin dhe Zeqirin, do të kishim të tjera pikë dhe performancë në lojë tonë.
Sigurisht që një nga lojtarët që unë kam kërkuar të qëndrojë ka qenë Shameti, por 75% të ndeshjeve ai ka munguar. Nëse ai do ishte në formacion, ne mund të mos kishim pësuar asnjë gol në këto ndeshje. Gjashtë golat që kemi pësuar i kemi marrë të gjithë në Kukës, 2 me penallti dhe të tjerët në topat në ajër dhe dihet që Shameti është një futbollist i fortë në ajër”, tha trajneri serb i veri-lindorëve.
Milinkoviç nuk tregoi asgjë për sa i përket skemës dhe lojtarëve me të cilët do të përballojë Flamurtarin, ndërsa theksoi se synimi i vetëm është fitorja, pa i dhënë rëndësi mënyrës.
Top Channel