Guerrilsat e kanë me Moxhin: Azilin te Partizani do të ta shndërrojmë në ferr

04/11/2017 21:51

Mark Iuliano deklaroi para ndeshjes me Kamzën se nuk ishte i shqetësuar dhe kërkoi durim duke thënë se fitoret do të vinin për Partizanin.

Por, pas nëntë ndeshjesh, 11 pikë janë pak për një skuadër që e niste sezonin si pretendente për titull dhe të parët që e kanë humbur durimin janë tifozët e grupimit “Ultras Guerrils”.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ata shprehin pakënaqësinë për gjendjen e skuadrës dhe shigjetojnë drejtuesit e klubit, veçanërisht Luçiano Moxhin.

“Nuk ka turp Moxhi që na tha në sy pas fjalës sonë kundër ardhjes së një lojtari në verë: “mos më ndërhyni në ekip, unë nuk luftoj për të dalë i dyti”! Kishe të drejtë plakush! Ti jo i dyti, por as i pesti nuk po del dot! Nëse ke menduar se do gjeje në Shqipëri dhe te Partizani një qoshe të qetë për pensionin tënd gabohesh rëndë! Nga azil do të ta bëjmë ferr!”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.

“Iuliano… sa i dështuar që je! Lojtarët, çfarë të themi për lojtarët? Juve ju ka plasur cipa e sedër nuk keni. Kur ju takuam herën e fundit ju thamë se do flisnim ndryshe më vonë… merreni si të doni! Na vjen turp prej jush. Për atë që jeni bërë! Një tufë kllounash!”, mbyllet reagimi.

Top Channel