Niko Kanxheri, bashkë me rikthimin e tij në skenë me “Euriditën”, tregoi edhe një të vërtetë që për të ka qenë e hidhur: Nuk ka marë oferta për teatër.
“Ne varemi nga kush na ofron. Është një lloj ‘maçoku’ brenda që të gërryen, që nuk të lë rehat, nuk të lë të qetë. Unë këtë shkollë kam mbaruar, këtë profesion di”, thotë Niko Kanxheri.
Që prej vitit 1987, Pedagogjia ka qenë pjesë e rëndësishme e tij. Por, pas dorëheqjes si pedagog i lëndës “Mjeshtëri aktori”, e më pas shef i Katedrës së Aktrimit në Akademinë e Arteve, ka ende histori studentësh që e përndjekin.
“Më bie njëherë telefoni nga një teatër provincial, nga një ish-studentja ime. Dhe unë e pyes, i interesuar se ç’thoshte teatri, a kishte marrë role, po luante role? E dini cila ishte përgjigjja e saj? Përgjigjja e saj ishte e dhimbshme: Ti na ke marrë në qafë profesor!”, rrëfen Niko Kanxheri.
Arsyeja ishte e thjeshtë. Sipas Kanxherit, metoda serioze e punës dhe aktrimit që ai ka dhënë tek aktorët e rinj, siç duket nuk është e preferuara e skenave sot.
Janë të shumta rolet, që ai i ka skalitur edhe në kujtesën e atyre që e duan kinemanë. Të paktë mund të jenë që nuk e kujtojnë Selman Toskun, te filmi “Parullat” të Gjergj Xhuvanit. Por, ai njeri i vuajtur e i veshur keq, e me një shpirt të madh poetik, nuk është karakteri që Niko dëshironte t’i vishte Selman Toskut.
“Selman Tosku i lutet një mësuesi që të bëjë një letër për të pasur një shtëpi atje ku ke me kë të shkëmbesh një fjalë. Para se të ikë harron ta falënderojë e kthehet. Më pas në skenar thuhet: Çfarë do të të sjellë? I thotë mësuesit, do ndonjë domate turshi, ndonjë hurdhër… Dhe unë propozova 4 ditë përpara Gjergj Xhuvanit që të hiqej. Ai nuk thotë, por e bën. Nuk je bërë ti – më tha mua, – që të gjykosh dialogun të cilin e kanë aprovuar edhe francezët. Kur e shoh filmin tani unë, dalim tek imja. Mua më vështiroset vetja, sepse aty janë dy karaktere, jo një”, tregon Niko Kanxheri.
Por një tjetër histori qëndron edhe në gdhëndjen e personazhit të Estrefit, në filmin “Vdekja e kalit”.
“Filmi mbyllej kur Agroni (Timo Flloko) del nga burgu. Unë vajta një ditë të pija kafe te Teatri, atje ishte Saimiri. I thashë, po ç’u bë ai Estrefi? Ku u zhduk ai maskarai? Çfarë thua, s’po të kuptoj. Unë shyqyr që e mbylla, aman më ler rehat. Jo po ta bëjmë edhe deputet më tha. Në darkë bie telefoni në orën 20 dhe më thotë, nesër e gjithë dita është xhirim”, rrëfen sërish Kanxheri.
Të paktën 3 skena teatri në Tiranë dhe aktorët e brezit të tij i shohim rrallë.
“Aktorë si Robert Ndrenika, të cilin edhe unë si aktor e kam zili, nuk po i afrohen teatrove. Mos është një luftë e brezit të ri për t’i përjashtuar këto figura? Unë shkoj më edhe më tej. Kur ata janë të pranishëm në një pjesë, kthehen në gjyq për ta”, thotë Niko Kanxheri.
Janë 20 rolet e tij në film e 8 në teatër. Një karrierë e nisur që në vitet ’70, ndërsa edhe tanimë Niko Kanxherit i duhen të paktën dy javë për të vendosur nëse mund të marrë një rol apo jo.
“Kam dhënë diçka nga Niko, ose më mirë kam djegur diçka nga trupi im. E kam bërë hi”, mbyll rrëfimin aktori i mirënjohur Kanxheri.
Top Channel