Sfida e re e McGregor: Të jem më i pasur se CR7 në vitin 2018

03/11/2017 20:26

Conor Anthony McGregor njihet si sportist profesionist i arteve marciale, por emri i tij nisi një ngjitje të jashtëzakonshme në botën e sportit pas ndeshjes së famshme kundër boksierit profesionist Floyd Mayweather, në verën e këtij viti.

Një ndeshje ajo mes dy jo të barabartëve, që mori më pas emrin “sfida e parave”, për shkak të shumës së jashtëzakonshme të sponsorizuesve të vëna në dispozicion të fituesit të ndeshjes, por jo vetëm. Edhe pse McGregor u mposht pastër nga amerikani, ai çoi gjithashtu në llogarinë e tij bankare një shumë të majme parash, që ndoshta nuk do ta kishte fituar kurrë në ndonjë mënyrë tjetër.

Por, irlandezi ka një objektiv primar përpara: të bëhet sportisti më i paguar në botë, edhe pse siç e deklaron vet ai, për vitin 2018 nuk mundet të shkojë më shumë sesa të ngjitet mbi Cristiano Ronaldon në listën e “Forbes”-it.

“Mes muajve qershor-korrik të vitit të ardhshëm do të hartohet edhe lista e sportistëve më të paguar të vitit nga revista “Forbes”. Ronaldo ishte numri 1 vitin e kaluar, ndërkohë që unë renditesha në vendin e 24-t me sa mbaj mend. Po tani më kujtohet, në vendin e 24-t me një fitim prej 24 milionë dollarë. Vitin e ardhshëm, nëse gjërat mbeten kështu siç janë, Floyd Mayweather do të jetë në vendin e parë, unë në vendin e dytë, ndërsa Ronaldo do të zbresë në të tretin. Por, nëse arrij të ndeshem edhe nja dy herë të tjera, ndoshta mund të ngjitem në vendin e parë. Për momentin ky është objektivi im: të bëhem sportisti më i paguar i botës në vitin 2018. Me arritjen e këtij objektivi do të synoj t’i afrohem shifrës prej një miliard dollarësh”, thotë McGregor.

Top Channel