“San Siro” zikaltër, Torinon e presin si të ishte…Reali apo Barça

03/11/2017 18:25

Nisja fantastike e sezonit për Interin është reflektuar edhe në entuziazmin e tifozëve, që në kontrast me muaj më parë kur polemizonin me lojtarët dhe stafin, tani janë në sinkron me rezultatet dhe punën e ekipit.

Përgjigjja e mbështetësve zikaltër është e dukshme në çdo ndeshje, por këtë të dielë, ndaj Torinos, stadiumi “San Siro” do të jetë i denjë për një publik të ndeshjeve të Botërorit.

Edhe pse përballë do të jetë një skuadër si Torino, që këtë sezon do të diskutojë mbijetesën, drejtuesit dhe klubi milanez u kanë bërë apel tifozëve që ta kthejnë stadiumin “San Siro” në ngjyrat zikaltër.

Do të jenë më shumë se 70 mijë tifozë, që të dielën në orën 12:30 do të asistojnë në ndeshjen Inter-Torino. Praktikisht asnjë vend i lirë në impiantin e qytetit, ku skuadra pritëse do të krijojë një atmosferë vërtet speciale, me synimin që kjo të përkthehet edhe në 3 pikë në fushë.

“Duam ta bëjmë hyrjen e lojtarëve të Interit në fushë edhe më solemne e emocionuese. Kur të dëgjoni himnin zyrtar, duhet të mbani në duar shallin tradicional me ngjyrat tona”, thuhet në njoftimin e Interit. Skuadra e Spallettit është vetëm dy pikë më pak sesa Napoli kryesues në Serie A.

Top Channel