Jose Mourinho do të rikthehet këtë të dielë në një stadium ku fitoi zemrat e tifozëve, por edhe pse përballë do të ketë Chelsean, me të cilin fitoi jo pak trofe, portugezi kërkoi të zhvlerësojë anën emocionale të ndeshjes.

Trajneri i Manchester United afroi konferencën e shtypit, për shkak të impenjimit në një tjetër betejë me organet fiskale spanjolle, për akuzat e evazionit fiskal, por në fokusin e tij ishte vetëm futbolli.

“Duhet ta pranoj që është disi ndryshe të luaj ndaj Chelseat, por unë synoj fitoren, njësoj siç bëra me Interin. Është vetëm një ditë më shumë në kalendarin tonë dhe, në harkun e pak viteve, këto përballje do të jenë të natyrshme edhe për mua. Në 4 ose 5 vite, tifozët e Chelseat ndoshta as nuk do ta kujtojnë që unë kam qenë trajner i ekipit”, tha Mourinho.

“Ata janë kampionët në fuqi, por ne jemi Manchester United. Kjo është jeta e futbollit, një ditë je në një klub, nesër je diku tjetër”, shtoi trajneri portugez.

Mourinho shpreson të rikuperojë disa lojtarë të dielën, ndërsa u kujtoi medieve se nuk e vlerësojnë ekipin e tij sa duhet.

“Performanca të ngjashme me tonat për disa klube janë magjike dhe shembuj të taktikës së shkëlqyer. Tottenhami mundi Liverpoolin dhe Realin, por nuk shënoi ndaj nesh. Mendoj se duhet t’i vlerësojnë edhe tanët për këtë”, tha me ironi Mourinho.

Top Channel