Iuliano i qetë: Rezultatet do të vijnë

03/11/2017 14:17

Partizani vazhdon të vuajë rezultatet e dobëta të fillim sezonit, por trajneri Mark Iuliano është i qetë në detyrën e tij dhe mendon se rezultatet do të vijnë për skuadrën e kuqe.

Në konferencën për shtyp italiani që drejton të kuqtë në këtë sezon shprehet se nuk ka asnjë presion në kryerjen e detyrës së tij.

“Nuk jam i shqetësuar, sepse i trajnoj futbollistët çdo ditë. Më vjen keq që rezultatet nuk janë të mira, por skuadra është dhe në po punojmë dhe duhet të punojmë më shumë. Nuk më trembin as kritikat dhe as puna, sepse kam një eksperiencë të gjatë dhe përgjigjet do t’i japim në fushë së bashku me skuadrën” u shpreh Iuliano.

I pyetur nga gazetarët për deklaratat e bëra nga Moggi se trajneri është në provë si e gjithë skuadra, Iuliano ju përgjigj me shumë diplomaci.

“Në të gjitha punët presioni është i madh çdo ditë, sidomos në fushën e futbollit. Fjalët e thëna nga Moggi janë normale dhe unë e stafi i marrim në mënyrë pozitive, që do të thotë të punojmë më shumë dhe më mirë, veçanërisht për sa i përket shënimit, pasi ka qenë pika më e dobët. Është normale që futbolli është një provë e çdo jave. Ne duhet të bëjmë mirë, edhe pse ndonjëherë është e vështirë, sidomos kur t’i ndërton gjithçka dhe ndëshkohesh vetëm me një gjuajtje. Kemi nevojë edhe për pak më shumë fat, që përgjigjet t’i japim në fushë”, deklaroi Iuliano.

Partizani pas humbjes së fundit ka rënë shumë poshtë në klasifikim dhe kjo ka bërë që distanca me Skënderbeun kryesues të jetë e madhe, aq sa drejtuesit e klubit mendojnë se që tani janë jashtë luftës për titull.

“Klasifikimi dhe paraqitjet tregojnë diferencat në klasifikim. Nuk e shikoj kështu, ky është projekt i ri dhe kërkon kohë, ashtu sikundër mund të them që nuk i kam patur të gjithë në dispozicion Nuk dua të ankohem për këtë, por kjo është e dukshme, ndaj them që na mungojnë vetëm rezultatet pasi loja ka qenë në çdo ndeshje.

Duke iu kthyer përballjes së radhës në kampionat kundër Kamzës, italiani duket se është i përgatitur dhe pret që skuadra të reagojë.

“Kamza është një skuadër që duhet respektuar. I njeh limitet, por i kapërcen ata falë pumës së grupit, me një futboll të qëndrueshëm, ashtu sikundër ka edhe kualitete individuale. Luajnë prej kohësh bashkë dhe janë përshtatur mirë, duke patur një lojë stabël, ndryshe nga Partizani që nuk ka qenë e qëndrueshme. E njohim skuadrën dhe mendoj se jemi përgatitur mirë. Nëse përballemi me të njëjtat armë, do të keni mundësinë të shikoni edhe diferencat kualitative që ka Partizani me ta. Kanë dy sulmues të mirë, që kanë qenë pjesë e Partizanit dhe ne do të marrim masat tona për ti parandaluar dhe ti godasim në pikat më të dobëta”, tha Iuliano.

Edhe për këtë ndeshje Partizani vjen me shumë mungesa dhe Iuliano i lodhur nga kjo gjendje kërkon të fokusohet vetëm te futbollistët që ka në dispozicion.

“Ju i dini mungesat dhe arsyet e tyre, por futbollistët që kam në dispozicion janë në formë shumë të mirë. duhet të flas vetëm për ata që kam në dispozicion dhe ne do të vazhdojmë përpara me skuadrën që kemi”, tha Iuliano.

Top Channel