Takimi i parë mes Realit të Madridit dhe Barcelonës këtë sezon do të luhet të shtunën e 23 dhjetorit, në orën 13:00.

La Liga konfirmoi datën e një prej përballjeve më emocionuese në futbollin botëror të klubeve, duke prezantuar dhe “El Clasico”-n e parë sezonale, që përplas gjigantët iberikë.

Reali do të presë Barçën në javën e 17, pikërisht në prag të Krishtlindjes, pasi “Los Blancos” do të jenë rikthyer nga Botërori i Klubeve, finalja e të cilit do të luhet më 16 dhjetor.

“El Clasico” në tempullin e “galaktikëve” do të jetë vendimtar për të përcaktuar rrugëtimin për titullin kampion, pasi aktualisht formacioni “merengues” është 8 pikë pas katalanasve.

Në rast se skuadra “blaugrana” lë pikë deri në dhjetor, atëherë Reali do të ketë në duar fatin e tij në ndeshjen e drejtpërdrejtë. Nga sfidat e kaluara në Superkupën e Spanjës kanë ndryshuar shumë gjëra, pasi Reali që triumfoi ndaj katalanasve për atë trofe, tani duket shumë larg formës optimale.

Por jo vetëm kaq për javën e 17, që do të jetë e veçantë në Spanjë. I gjithë kalendari është shtrirë në 5 ditë, nga e marta deri të shtunën, me dy ndeshje derbi si Valencia-Villarreal dhe Deportivo La Coruna-Celta Vigo, që gjithashtu do të zhvillohen ditën e “El Clasico”-s.

Top Channel