Tjetër dron në Beograd! Ministria nxjerr bllof median serbe

02/11/2017 12:27

Prag ndeshja mes Partizanit të Beogradit dhe Skënderbeut duket se po kalon pa shumë incidente, megjithatë media serbe e gjen një mënyrë për të bërë turbulluar ujërat.

Në orët e fundit të përditshme si Kurir apo Alo kanë publikuar lajmin për ndalimin e 3 shtetasve shqiptarë nga Presheva, të të cilët po udhëtonin drejt Beogradit për të ndjekur këtë ndeshje.

Gjithnjë sipas këtyre mediave, policia ushtroi kontroll në mjetin me të cilin po udhëtonin duke u gjetur një dron të cilin e kishin fshehur në hapësirën e gomës rezervë të makinës së tyre duke mos i lejuar ata që të hyjnë në vend.

Por ky informacion rezultoi i rremë dhe ajo që mendoi të nxjerrë bllof median serbe ishte vetë Ministria e Mbrojtjes së këtij vendi që mohoi në mënyrë kategorike se policia nuk ka bërë asnjë veprim të tillë.

Ndërkaq, në median serbe flitet edhe për ardhjen në Beograd të 2000 tifozëve shqiptarë për këtë ndeshje, pavarësisht marrëveshjes së arritur mes klubeve në lidhje me këtë çështje.

Bëhet fjalë për praninë e shtetasve shqiptarë që jetojnë ne pjesën jugore të Serbisë në qyteti si Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, Nish dhe Vranje.

Top Channel