Skënderbeu “i frikësuar”, mposhtet 2-0 nga Partizani i Beogradit

02/11/2017 20:50

Nga një gol në secilën pjesë, ai i dyti për faj të gabimit në mbrojtje nga Lilaj, kanë vendosur fatin e takimit të Beogradit mes Partizanit dhe Skënderbeut.

Një goditje dënimi ishte ajo që bëri diferencën në 45 minutat e para të takimit mes Partizanit të Beogradit dhe Skënderbeut, e vlefshme për raundin e katërt të ndeshjeve në grupet e Europa League.

Ishte Zoran Tosiç, ai që kaloi në avantazh vendasit në minutën e 39, nga një goditje dënimi e ekzekutuar në mënyrë perfekte, duke e lënë portierin Shehi të bardhekuqve të palëvizur në qendër të portës.

Keqardhje për atë që u dha në fushën e lojës, pasi deri në atë moment ekipet ishin në statistika të barabarta, me një lojë që po zhvillohej më së shumti në qendër të mesfushës.

Menjëherë pas pësimit të golit, korçarët u hodhën në sulm, por gjuajtja e Marko Radas të “ujqërve të dëborës” u zotërua në dy kohë nga portieri vendas, Stojkoviç.

Minuta e parë shtesë ishte drithëruese për bardhekuqtë, të cilët goditën edhe shtyllën pas një goditjeje dënimi, por arbitri vendosi se ishte në pozicion jashtë loje.

Pjesa e dytë e takimit nisi më aktive nga të dyja skuadrat, me Skënderbeun që nisi të vështronte më shumë nga sulmi, ndërsa Partizani duke u treguar i kujdesshëm prapa për të përfituar nga ndonjë mundësi që do t’i jepej në prapavijën korçare.

U desh të kalonte rreth 1 orë lojë, që të shënoheshin dy raste të pastra, ato të minutës së 60, e më pas 61, herën e parë me Tawambën që lëshon një parabël për të befasuar portierin Shehi, por ky i fundit arrin ta devijojë topin mbi traversë; ndërsa më pas nga goditja e këndit, sërish kamerunasi godet me kokë, por Shehi në pozicion largon keq topin e përfunduar në këmbët e Radas, që largon rrezikun nga zona e rreptësisë.

Vetëm pak më vonë, në minutën e 66, kur Skënderbeu sapo kreu zëvendësimin e parë me largimin e Micit për t’i lënë vend preshevarit Aliti, Ozegoviç përfiton nga kthimi i gabuar i topit nën presion nga Lilaj te Shehi, e “vjedh” atë për ta pasuar te Tawamba, i cili me portën bosh vetëm sa shtyn topin në rrjetë.

Edhe pse në disavantazh të dy golave, korçarët që nuk kishin më çfarë të humbisnin dhe tentuan të hidheshin në sulm, aty ku Sowe fiton një goditje dënimi vetëm pak jashtë zonës së rreptësisë, por ekzekutimi i Radas ishte qëndror dhe drejtpërdrejt në duart e portierit Stojkoviç. Minuta e 74-t foli sërish për “ujqërit e dëborës”, me Radasin që hodhi një kros në qendër të zonës, aty ku Jashanica goditi me kokë, por portieri vendas e devijoi topin mbi traversë.

Në minutat e mbetura, asgjë për t’u veçuar, me korçarët që aktivizojnë edhe Nespor në vend të Gavazajt, por edhe në ato pak raste që dolën përpara nuk mundën të çajnë mbrojtjen serbe, ndërsa edhe sulmuesit e Partizanit, me fitoren tashmë “në xhep”, u treguan më pak kërkues përballë Shehit.

Kjo humbje, shoqëruar me fitoren e Dinamos së Kievit 0-1 ndaj Young Boys, i çon serbët në vendin e dytë të grupit me 5 pikë, ndërsa korçarët mbeten në fund me vetëm 2 pikë, një më pak sesa zviceranët. Ukrainasit udhëheqin grupin me 10 pikë dhe presin biletën për në raundin tjetër.

FOTO GALERI
14/15

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA