Europa League, Lazio s’njeh pengesa. Kualifikohen Arsenal dhe Zenit

02/11/2017 23:00

Ndeshjet e katërta të grupeve të Europa League, për ato nga G deri në L, kanë parë të ndalen ekipet kryesuese, e të favorizohen disi ato që luftojnë ende për qëndrimin mes më të mirëve të kompeticionit të dytë për nga rëndësia në Europë.

Kështu, Steaua ka barazuar me Hapoelin 1-1, edhe pse duket se e ka një këmbë drejt kualifikimit. Plzeni ka triumfuar 4-1 ndaj Luganos, duke rrëmbyer vendin e dytë në grupin G.

Edhe Arsenali nuk ka shkuar më shumë sesa barazimi pa gola ndaj Crvena Zvezdës në Londër, por mbetet në krye me 10 pikë, e ndjekur nga serbët me 5. Bate është mposhtur nga Këlni me një goleadë tenistike 5-2, me gjermanët që shpresojnë ende pas 3 humbjeve të para.

Salzburgu i Austrisë ka barazuar po pa gola ndaj Konyasporit, në grupin I, aty ku surprizën e ka bërë Marseja, që është mposhtur nga Guimaraes 1-0, edhe pse qëndron ende në vendin e dytë.

Në grupin J, si Ostersundsi kryesues, ashtu edhe Zorya kanë humbur përballë Bilbaos dhe Herthës, respektivisht, duke lënë gjithçka të hapur, pasi ekipet ndahen nga kreu në fund me vetëm 3 pikë.

Lazio nuk njeh pengesa, duke mposhtur sërish Nicën e Balotellit 1-0 në Romë, e duke prerë biletën e kualifikimit, ndërsa Nica pret të vendosë fatin e vendit të dytë përkundrejt Zulte Waregem, që fitoi ndaj Vitesses.

Grupi i fundit, ai L kryesohet nga Zeniti, që barazoi 1-1 në Norvegji ndaj Rosenborgut, e tashmë e sheh veten nën presionin e Sociedadit të vendit të dytë me një pikë më pak, por rusët e kanë hedhur një këmbë drejt fazës me eliminim direkt.

Top Channel