Facebook ka raportuar një rritje prej 79 për qindësh të fitimeve ndërsa ka bërë hapa përpara me reklamat video në një katër mujor që u dominua nga raportet se Rusia mund të ketë përdorur rrjetin social për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të 2016 në SHBA.
Të ardhurat nga reklamat në Facebook janë rritur me 49 për qind në katër mujorin e tretë duke kapur shifrën e 10,14 miliardë dollarëve. Facebook është në qendër të një stuhie politike në Shtetet e Bashkuara për mënyrën se si ai i menaxhon reklamat politike me pagesë dhe lejon përhapjen e lajmeve të rreme.
Ligjvënësit amerikanë kanë kërcënuar me rregullore më të ashpra dhe kanë marrë në pyetje këshilltarin e përgjithshëm të Facebook Kolin Strech, këtë javë. Facebook, gjatë dy muajve të fundit ka thënë se njerëzit në Rusi kishin blerë të paktën 3 mijë reklama politike amerikane dhe kishin publikuar rreth 80 mijë postime në Facebook, që janë parë nga më shumë se 126 milionë amerikanë në një periudhë kohore prej dy vitesh.
Sidoqoftë, kompania nuk i është referuar aspak këtyre zhvillimeve në deklaratën e saj të mbylljes së katër mujorit të tretë.
Top Channel