“Radarët”, L. Rama-socialistëve: Jeni të detyruar të pranoni dëgjesat

31/10/2017 13:14

Nënkryetari i LSI-së Luan Rama këmbëngul në zhvillimin e seancave dëgjimore me disa prej drejtuesve të institucioneve të sigurisë e zbatimit të ligjit lidhur me çështjen e radarëve.

Pavarësisht se kryetarja e komisionit të sigurisë Ermonela Felaj e refuzoi kërkesën e Luan Ramës, duket se ka qenë më tepër interpretim i neneve të rregullores.

Në respekt të saj, Luan Rama thotë se do të zbatojë nenin 36, atë të dorëzimit me shkrim nga 1/3 e deputetëve të kësaj kërkese, për të cilën siç tha ai tashmë maxhoranca do të jetë e detyruar. Ai thotë se kërkoi edhe konsensusin e socialistëve për kërkesën e tij.

“Meqenëse ishim në seancën e miratimit te programit të punës së komisionit, propozova të përfshihej në program edhe një cikël seancash dëgjimore me drejtuesit e institucioneve të sigurisë e zbatimit të ligjit; përkatësisht me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm tē Ushtrisë, Drejtorin e SHISH, Prokurorin e Përgjithshëm dhe Kryetarin e KLSH, që komisioni të mësojë zyrtarisht prej tyre se si qëndron problemi i mosfunksionimit të radarëve! Për oportunitet dhe luajalitet ju referova nenit 33 të rregullores së Kuvendit, pasi realisht mendova se për ushtrimin e përgjegjësisë kushtetuese të kontrollit civil dhe te transparencës ndaj qytetarëve, do të gjeja edhe dakordësinë e deputetëve të shumicës parlamentare.
Nuk doja të ishit të detyruar, por ju ftova të ishit bashkëpunues e konsensualë, sepse realisht mendoja se edhe ju jeni të interesuar të mësoni se si qëndron e vërteta e mosfunksionimit të radarëve, denoncuar fillimisht prej vetë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Zgjodhët të më refuzoni!
Më vjen keq për ju, po tani do të jeni të detyruar!”, shkruan Rama në Facebook.

Top Channel