Ditëlindja e 57, Maradona: Icardi, në kombëtare prej Wanda Narës

31/10/2017 18:12

Ata janë bërë prej kohësh “shënjestra” e tij e preferuar. Madje, as në ditën e 57-vjetorit të lindjes, Diego Armando Maradona nuk mundet dot të tregohet i përmbajtur, me sulmet drejtuar Federatës argjentinase të Futbollit dhe Mauro Icardit.

Duke folur në një intervistë për të përditshmen argjentinase “Clarin”, legjenda e futbollit, që njihet edhe me nofkën “Il Pibe de Oro”, ka lëshuar nga pak për të gjithë.

“Unë s’kam folur për Seleccionin. Kam pasur fatin të shoh Messin gjatë ceremonisë së dhënies së çmimit ‘The Best’ dhe mendoj se është në gjendje të shkëlqyer. E shoh të jetë shumë mirë, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij shtatzënë. Megjithatë nuk më pëlqejnë ata që përhapin tymnaja. Nuk më harrohet kur isha në Kroaci, teksa shihja finalen e Kupës Davis, kur mora një telefonatë nga Sampaoli për të pasur një projekt të përbashkët te Sevilla. Por, që kur u emërua në krye të Argjentinës nuk i kujtohet as sesi e kam emrin. Me njerëz të tillë, falsë, mediokër dhe që mendojnë se janë më të mëdhenj nga ç’janë realisht, nuk do të kisha dashur të punoja kurrë. Nuk bie aspak dakord me të, as me Tapian që më premtoi diçka tjetër dhe po bën një gjë tjetër. Besoj se jam më argjentinas se kushdo tjetër dhe nuk kam ndërmend të dal kundër vendit tim. Më kanë kërcënuar dhe madje ka pasur nga ata që më kanë thënë se ishin të gatshëm të më vrisnin. Nuk kam aspak frikë!”, është shprehur Maradona.

Por për grumbullimet e Argjentinës ka më shumë për të thënë, se gjithçka tjetër.

“Cilët lojtarë u grumbulluan kundër Ekuadorit? Thirrën Icardin që ishte i dëmtuar, pavarësisht se kishin të gatshëm Higuainin, që ka shënuar nga ndeshja në ndeshje. Hajd më, këtë nuk e morën. Lanë jashtë liste edhe Agueron, e morën një dashnor që rrëmben gratë e shokëve të tij. Morën pikërisht atë, gruaja e të cilit kërkon të hyjë në botën e futbollit dhe të bëhet menaxhere e tij. Pikërisht atë, e cila luan top me djemtë e Maxi Lopezit. E di shumë mirë historinë. Ajo (Wanda Nara) e ka telefonuar 3 herë Bauzan, ndërsa Tata Martinon plot 4 herë. Më kanë treguar vet ata ose ndihmësit e tyre. Të them të drejtën nuk e di sesa herë e ka telefonuar Sampaolin, por e gjitha kjo histori është një falsitet. Besoj se ekziston edhe një tjetër futbollist, president apo sipërmarrës, që e ka emrin Juan Sebastian Veron, me të cilin Sampaoli ka bërë grumbullimet e para”, ka thënë ndër të tjera “Pibe de Oro”.

Top Channel