Borja Valero: Spalletti na stërvit kokën dhe këmbët

31/10/2017 05:21

Mesfushori spanjoll erdhi këtë verë te Interi, pasi la Fiorentinën dhe pas 11 javësh si titullar, gjeti më në fund golin e parë me fanellën zikaltër.

Borja Valero shënoi golin e parë ndaj Veronës, një kundërshtari që i ka shënuar edhe herë të tjera dhe zhbllokoi rezultatin në pjesën e parë.

“Jam shumë i lumtur për golin, por më i lumtur jam për fitoren. Jemi një skuadër cinike, me dëshirë të madhe për të fituar dhe këtë e treguam edhe sot. Është ende herët për të folur për titullin, sepse kanë mbetur akoma shumë javë e beteja për t’u fituar”, tha spanjolli.

Borja Valero, tani 32 vjeç vlerëson punën e Luciano Spallettit dhe shpreh gatishmërinë për t’u aktivizuar në çdo pozicion të fushës, ku skuadra ka nevojë.

“Unë luaj ku të dojë trajneri. Pas Icardit kam më shumë mundësi të hyj në zonë, por më mbrapa prek më shumë topa, kështu që ndihem mirë në të dy pozicionet. Mendoj se mungesa e kupave do të na ndihmojë të përballojmë kampionatin, por kam besim te Spalletti, që di të na stërvitë kokën dhe këmbët”, tha Borja Valero.

Top Channel