UEFA, gjobë Këlnit për kaosin në Londër. Braga, si Skënderbeu

30/10/2017 18:22

Qeveria e futbollit europian ka vendosur të ndërhyjë sërish, përmes sanksioneve dhe gjobave, për të ndëshkuar klubet problematike me sjelljen e tifozerisë, në kupat kontinentale.

Skuadra e Bundesligës, Këlni do të detyrohet të paguajë një kompensim të majmë për Arsenalin, pas dëmeve që mbështetësit gjermanë shkaktuan në transfertën e Londrës.

UEFA vendosi të imponojë dënimin pa tifozë me një ndeshje në transfertë për Këlnin, vendim që do të ngrihet për dy vite dhe do të aplikohet vetëm në rast përsëritjeje të trazirave. Gjithashtu ekipi nga Nordrhein Westfalen do të paguajë 60 mijë euro gjobë, për sjelljen e ultrasve në “Emirates Stadium”.

Nuk iu shpëtoi sanksioneve as klubi portugez i Bragës, me mbylljen e pjesshme të stadiumit për sfidën e radhës kundër Hoffenheimit. Akuza është e njëjtë me atë që solli dënimin e Skënderbeut, racizëm i tifozëve. Por nëse për korçarët erdhi dënimi i fushës, për ekipin portugez ishte një sanksion më i lehtë, në parà dhe në mbështetje të tifozëve.

Top Channel