Para deputetëve dhe kamerave të ERTV, Rama e nisi me Akademinë e Shkencave dhe ndërprerjen e financimit të asaj çka e quajti një nëndetëse që po kalbet në rërë.

“Ndërkohë paratë e shpenzuara kot për rroga dhe shpenzime të pajustifikuara për të tundur flamurin sovjetik mbi çatinë e Akademisë së Shkencave, edhe 27 vjet pas rënies së komunizmit dhe nuk e di sa vite bëhen nga largimi i sovjetikëve që nuk i morën dot nëndetëset me vete dhe lanë mbi det Akademinë e Shkencave, do të shkojnë për kërkimin shkencor në Universitet”, tha Edi Rama.

Ashtu si tre vjet më parë për Reformën në sektorin energjetik, kryeministri paralajmëroi të njëjtin aksion edhe për ujin.

“Do t’u japim kohë, disa muaj, të gjithë atyre që vazhdojnë të vjedhin ujin, duke përfituar nga lidhjet e paligjshme, pa matëse. Në bashkëpunim me kryetarët e bashkive, do fillojmë prerjet masive të lidhjeve të paligjshme”, u shpreh Kryeministri.

Qeveria synon ta rrisë buxhetin e vitit të ardhshëm me 4%, ndërsa rritja ekonomike pritet të kapë shifrën 5%. Infrastruktura mbetet në fokus të 2018-ës përmes zbatimit të programit 1 mld për rindërtim. Këtu kreu I qeverisë premtoi finalizim të kontratës për rrugën e Arbërit.

Ankesat e deputetëve. Pas ikjes së Ramës, kritika ministrave

Pas largimit të Kryeministrit, në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit, vetë deputetët kanë ngritur shqetësimin për mungesën e marrëdhënies korrekte me ministrat, për të cilën një muaj më parë është nënshkruar edhe pakti i mirëkuptimit mes qeverisë dhe grupit. Burime brenda mbledhjes thonë se deputetët janë ankuar për ministrat, të cilët sipas tyre janë bërë si pronarë firmash dhe nuk pranojnë të diskutojnë as për çështje ligjore.

Më herët pa praninë e kamerave, kreu i qeverisë ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e profesionistëve në zyrat e shtetit, duke u kërkuar deputetëve të mos bëjnë më propozime të marangozëve në pozicione drejtuese e shefa sektorësh apo këngëtarë në vend të elektricistëve të OSHEE.

Top Channel