Noka: Duhet qeveri antimafia, opozita ka aksion të sajin politik

30/10/2017 12:03

Deputeti demokrat Flamur Noka thotë se opozita do të ndërmarrë aksionin e saj politik, duke u shprehur se vendi ka nevojë për një qeveri antimafia, që të luftojë mafian.

Duke folur për gazetarët, Noka tha se opozita nuk do të pranojë të bëhet fasadë e organizatave kriminale, siç është shndërruar qeveria.

“Kur ministri i Brendshëm është kapur në krim dhe trafik droge, kur kryeministri përballë një mega skandali të tillë luan rolin e strucit duke futur kokën në rërë ndërkohë që leckat e krimit i ka të zbuluara, nuk mund të ketë normalitet. Nuk mund të pranojë opozita që të bëhet fasadë e organizatave kriminale si në këtë rast me këtë qeveri e cila është shndërruar e tillë. Opozita do të ndërmarrë aksionin e saj politik për të mos pranuar dhe për të rrëzuar këtë qeveri kriminale. Ne kemi platformën tonë dhe është bërë publike. Është e prerë që duhet një qeveri antimafia që të luftojë mafian, të luftojë krimin dhe të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Me këtë qeveri nuk ecet në normalitet. Ne jemi ndryshe nga opozita e para 5 viteve dhe për pushtet nuk djegim Shqipërinë, por ne nuk mund të pranojmë që Shqipërinë ta qeverisë krimi”, tha Noka.

Top Channel