Moggi nxjerr Partizanin nga lufta për titull: Iuliano, edhe 3 ndeshje!

30/10/2017 22:45

Pas 3 fitoreve radhazi, skuadra e Partizanit ndalet nga një humbje në kryeqytet me Flamurtarin, duke ndërprerë vrullin e nisur që u duk të kishte sjellë kalimin e krizës.

Kjo disfatë e lë skuadrën e Iulianos në vendin e pestë në renditje, shumë larg synimeve për të qenë në garë për titullin e këtij viti, madje Luciano Moggi ka deklaruar se, tashmë Partizani ka dalë nga gara për titull.

“Sigurisht jemi larg pritshmërive që kishim në fillim të sezonit. Me mungesën e rezultateve mund të themi që na mungon sulmuesi ynë, Çani. Është e sigurtë që neve në janar do të na duhet të afrojmë lojtarë dhe për këtë po shohim brenda dhe jashtë vendit. Por, për momentin duhet të presim edhe rreth 10 ditë Çanin, nëse rikuperon ose jo, përndryshe të prishim marrëveshjen. Do të përpiqemi që të mbërrijmë në janar me sa më shumë pikë të mundemi. Tashmë objektivi ynë nuk është më titulli kampion, por një nga 3 vendet e para”, tha Luciano Moggi, këshilltar i presidentit të Partizanit.

Veç Çanit, Moggi ka vendosur të ketë edhe një afat për të pritur trajnerin Mark Iuliano.

“Nuk është faji i trajnerit nëse nuk ka sulmues. Duhet të përjashtojmë faktin që është në dyshim trajneri, për momentin, sepse skuadra siç e patë edhe në ndeshjen e fundit, luan mirë por i mungon goli. Çdo trajner me këto probleme që ka skuadra nuk do të bënte më tepër. Megjithatë, nëse rezultatet do të mungojnë pas një, dy apo 3 ndeshjesh, atëherë duhet parë edhe situata e trajnerit”, tha më tej Moggi.

Top Channel