Hamilton kampion, shifrat e triumfit të britanikut

30/10/2017 11:35

Në Meksikë, Lewis Hamilton u shpall kampion bote në Formula 1 kur kanë mbetur edhe 2 gara nga fundi i kampionatit.

Piloti britanik i Mercedes u bë i treti pilot në historinë e këtij Botërori që e siguron këtë titull për të katërtën herë duke barazuar pikërisht Alain Prost dhe vetë Sebastian Vettel, ndërkohë që rekordin absolut në këtë pikë e mban Michael Schumacher me 7 tituj botërorë.

Britaniku në vitin 2017 konsolidoi edhe vendin e dytë në klasifikim për sa i përket garave të fituara në karrierë, 62, ndërkohë që edhe në këtë rast Schumacher është i paarritshëm me 91 te tilla. Por Hamilton ka mundur të thyejë legjendën gjermane të Formula 1 për pole position.

Këtë vit britaniku e çoi në 72 numrin e pole position, shifër që mund të shkoje edhe në 74, ndërkohë që Schumacher ka mbetur në 68 pole position.

Është përmirësuar edhe rekordi i nisjes së garës nga vija e parë, 117 e ka Hamilton, kundrejt 116 të Schumacher. Karriera e Hamilton në Formula 1 filloi në vitin 2007 me skuadrën e McLaren ku iu afrua ndjeshëm titullit botëror, që në fund u fitua nga Kimi Raikkonen.

Triumfi erdhi pas 1 viti, pikërisht në 2008 duke u bërë piloti më i ri kampion bote, rekord që më pas u përmirësua nga Vettel. Në këtë vit suksesi erdhi në castet e fundit kur Hamilton ia rrëmbeu titullin Felipe Massës. Gjatë 4 viteve të dominimit të Red Bull e Sebastian Vettel, Hamilton u pa në hije, por t’u kthyer të dominojë në 2014 dhe 2015, kur Mercedes i vuri në dispozicion një makinë praktikisht të paarritshme nga askush. Vitin e kaluar e humbi titullin kundrejt Nico Rosberg për vetëm 5 pikë, për ta rifituar atë pikërisht në 2017.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA