Basketboll, Disiplina “e hekurt”: Dy ndeshje pa tifozë dhe gjobë Tiranës

30/10/2017 18:42

Skenat e shëmtuara në basketbollin e meshkujve, që u regjistruan në derbin e kryeqytetit, nuk u lanë pa ndëshkim nga Komisioni i Disiplinës.

Tirana do të detyrohet të luajë dy përballjet e radhës në fushën e saj pa tifozë, pas incidenteve që shkaktuan mbështetësit bardheblu në përballjen ndaj Partizanit, në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”.

Sfida, që u ndërpre në periodën e tretë, u regjistrua me humbjen në tavolinë 20-0 të Tiranës, skuadër që kishte edhe barrën e organizatorit të takimit, e që mori gjithashtu edhe një gjobë të majme prej 80 mijë lekësh.

Sipas Disiplinës, tifozët bardheblu hodhën objekte të rrezikshme në parket dhe u bënë shkak i pezullimit të lojës.

Nuk iu shpëtuan sanksioneve as basketbollistët Pylla dhe Daliu, që u paralajmëruan se në rast të përsëritjes së incidenteve do të përjashtohen nga të gjitha garat.

Top Channel