Max Verstappen do të niset nga vendi i dytë në Çmimin e Madh të Meksikës, pasi komisarët e pistës nuk vendosën asnjë penalitet në dëm të tij, në incidentin e konstatuar me Bottas.
Për Verstappen u sinjalizua një investigim, pasi Bottas humbi xhiron e tij të parë në sesionin e tretë të kualifikueseve, kur Red Bulli i Verstappen ngadalësoi në kthesën 13. Pavarësisht se Bottas u ankua se Verstappen e kishte penguar për të realizuar xhiron e tij të shpejtë, komisarët e pistës nuk kanë konstatuar asnjë parregullsi në pilotimin e holandezit të Red Bull.
“Komisarët kanë investiguar dinamikën e lëvizjës së makinës me nr.33 të Verstappen, si edhe sinjalizimin e skuadrës Red Bull në radio. Ata njoftuan që të shikojë në pasqyra makinën që ka pas vetes. Verstappen ka lëvizur në dalje të kthesës 12 në pjesën e majtë, për t’i hapur rrugën makinës që vinte pas tij, duke mos penguar lëvizjen e saj”, kanë konstatuar komisarët.
Vendimi nuk vjen si një lloj kompensimi për Verstappen, pas zhurmës që shkaktoi këtë javë zbritja nga podiumi në Çmimin e Madh të Amerikës, pasi preu në kthesë shkurt në parakalimin ndaj Raikkonen.
Top Channel