Tare: Asnjë ofertë për Immobilen. Nuk jemi më një surprizë

29/10/2017 13:43

Përpara se të niste sfida e mesditës së kësaj të diele në Serie A, mes Beneventos dhe Lazios, drejtori sportiv i lacialëve ka folur për mediet italiane, duke u ndalur në rezultatet e mira të klubit, por edhe te zërat e merkatos.

“Ndaj Bolognës patëm një ndeshje disi të tensionuar, e duke qenë se luajmë çdo 3 ditë është e vështirë të mbajmë të lartë përqëndrimin. Edhe sot kemi një ndeshje të vështirë për t’u interpretuar, sepse Benevento nuk ka asgjë për të humbur. Besoj se pas 10 humbjesh radhazi në shtëpi, ata do të përpiqen të na dëmtojnë disi. Për ne, kjo ndeshje do të jetë edhe një mënyrë qartësimi për rrugën tonë përpara”, është shprehur Igli Tare.

Por a ekziston një çështje “Luliç” te Lazio?

“Senadi do të zbresë sot në fushë, por kapiteni i një skuadre nuk mund të reagojnë në atë mënyrë siç bëri në Dall’Ara. Në dhomat e zhveshjes e kemi marrë mënjanë unë dhe Peruzzi. Ditën tjetër, ai e kuptoi gabimin dhe na pagoi darkën. Në fakt ishte një gjest spontan dhe me dëshirën e tij, nuk ia kërkoi askush”, shprehet me nota humori ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Tare.

Sa i përket ofertës prej 70 mln eurosh nga Kina për Immobilen…

“Nuk është asgjë e vërtetë. Nuk kam marrë kurrë asnjë propozim, madje as nga ndërmjetës. Ciro ka rinovuar kontratën me ne, sepse dëshiron të qëndrojë te Lazio. Ai është në planet tona të paktën deri në vitet 2022-2023. Së bashku kemi krijuar diçka të rëndësishme dhe besoj se rezultatet po e tregojnë këtë. Ecuria, gjithsesi, është ende e gjatë dhe torturuese, ndaj duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Objektivat tonë janë të qartë: nuk jemi më një surprizë, por këtë vit mund të jemi edhe më mirë sesa në të kaluarën. Të presim e të shohim”, mbyll deklaratën Igli Tare.

Top Channel