Iuliano: Mëkat që humbëm, luajtëm mirë

29/10/2017 19:30

Pas nisjes tejet të keqe që i bëri kampionatit, Partizani reagoi me 3 fitore radhazi. Por kur të gjithë menduan se ekipi ishte në rrugën e duhur, vjen goditja nga Flamurtari që fitoi në Tiranë.

Për trajnerin italian të të kuqve, Marc Iuliano, skuadra zhvilloi një lojë të mirë dhe rezultati nuk ishte i duhuri.

“Është një mëkat që humbëm sepse vinim pas 3 fitoresh radhazi dhe një përmirësimi të ndjeshëm të lojës. Pësuam një gol pas një krosimi, që mund ta kishim evituar dhe humbëm, por ky ishte një rezultat i gënjeshtërt, sepse në fushë dominuam dhe kontrolluam lojën”, tha Iuliano.

Trajneri i Partizanit vijon të jetë optimist për të fituar titullin kampion, ndonëse ka marrë vetëm gjysmën e pikëve të Skënderbeut, në këto 8 javë të para.

“Kemi qenë të pafat dhe kemi marrë shumë pak pikë në këto ndeshje të para, por me punë mund t’ia dalim të ndryshojmë situatën. Kemi shpërdoruar shumë raste në ndeshje të ndryshme dhe nëse e përmirësojmë këtë aspekt, do të shënojmë më shumë dhe do të mbledhim më shumë pikë. Unë jam këtu për të punuar dhe dhënë më të mirën, ndaj besoj se deri në fund të kampionatit, mund t’ia dalim të arrijmë objektivin”, tha trajneri i të kuqve.

Top Channel