Godet Vllaznia, ndal Kukësin në “Zeqir Ymeri”

29/10/2017 16:34

I kanë mjaftuar vetëm 10 ditë Ernest Gjokës në stolin e Vllaznisë për të ndërtuar një skuadër që të ndalë Kukësin në “Zeqir Ymeri”.

Përfundoi në barazim 2-2 përballja mes kampionëve në fuqi dhe “kuqebluve”, rezultat që zhgënjen “verilindoret”, por u jep zemër e moral shkodranëve, pas një serie të gjatë rezultatesh negative.

Vllaznia shtang të pranishmit në “Zeqir Ymeri” që në minutën e 7-të, me Atsinën që përfitoi nga një top i kthyer nga shtylla, duke e dërguar me lehtësi topin në rrjetë. Asnjë faj në këtë rast për Enea Kolicin, që mundi në momentin e parë të shmangte golin, por s’mund të bënte asgjë para goditjes së sulmuesit ganez. Por Atsina nuk ndalet me kaq, në minutën e 20-të shfrytëzoi një pasim të Edon Hasanit, për ta detyruar për herë të dytë Kolicin që të nxirrte topin nga rrjeta.

Reagimi i Kukësit erdhi vetëm 5 minuta më vonë me një futbollist shkodran, Sidrit Gurin, që devijoi drejt rrejtës me kokë pas një goditjeje të lirë nga e majta e sulmit të vendasve. Kukësi ushtroi presion të vazhdueshëm edhe me fillimin e pjesës së dytë, derisa barazoi shifrat me brazilianin Cale, që shënjestroi portën me një goditje të bukur nga jashtë zonës.

Pas këtij barazimi, Skënderbeu shkëputet në 5 pikë nga Kukësi.

Top Channel