Flamurtarin “rrëzon” sërish Partizanin në shtëpi

29/10/2017 19:10

Partizani bie sërish dhe sërish me një humbje në shtëpi. Këtë herë është Flamurtari që i merr 3 pikët në kryeqytet të kuqve dhe kandidohet si forcë e tretë e Kategorisë Superiore pas 8 javësh.

Edhe pse kishte marrë pikët në 3 ndeshjet e fundit, Partizani kishte shfaqur shenja dobësie dhe këtë gjë e kuptonte mirë një specialist si Shpëtim Duro, që pa zhurmë, nën zë, me shumë punë e modesti, po ndërton një Flamurtar fitues.

Që në pjesën e parë miqtë nga Vlora u shfaqën agresivë, duke i rrëmbyer mesfushën Partizanit dhe duke i krijuar shumë hapësira në zonën e rreptësisë. Kombinacione të shpejta dhe shumë goditje drejt portës. Një e tillë ishte edhe në minutën e 25-të nga Hoxhaj, që shtangu të kuqtë.

Goli nuk ishte një rastësi, pasi Flamurtari në atë vrull tentoi disa herë që të godiste kuadrin e të kuqve. Reagimi i Partizanit ishte i ftohtë, pa shumë forcë, ndërsa vlonjatët dukeshin një skuadër shumë fizike.

Përfundimisht 0-1 për Flamurtarin që ngjitet në kuotën 15 pikëve, 2 më pas se Kukësi, ndërkohë që Partizani merr humbjen e tretë sezonale, ndërsa mbetet pas 11 pikë nga Skënderbeu kryesues.

Top Channel