“Traviata” on tour, opera shfaqet në Durrës

28/10/2017 15:11

Ka korrur sukses opera “Traviata” e Xhuzepe Verdit e shfaqur premierë mbrëmjen e së premtes për artdashesit durrsakë.

Pavarësisht infrastrukturës teatrore jo fort të përshtatshme për vepra operistike të këtyre përmasave, artistet e TOB-it kanë shijuar ngrohtësinë e duartrokitjeve dhe vlerësimit të publikut durrsak, që përjetoi drejtpërdrejt në sallë fuqinë dhe fatin e dashurisë së Violetës dhe Alfredos, një nga historitë më të bukura të dashurisë.

Përmes pasionit dhe historisë së dashurisë që ngërthen personazhet kryesore dhe episodike, opera Traviata dhuron emocion duke kapërcyer kohët dhe ardhur joshëse dhe intriguese para artdashësve.

“Kjo është opera ’on tour’ që ka filluar me qytetin e Shkodrës, pastaj me Elbasanin, Vlorën, Fierin e tani në shtator-dhjetor me Durrësin dhe javën tjetër jemi në Korçë. Është një superproduksion dhe ftoj publikun e Durrësit që ta shijojë këtë kryevepër me solistët më të mirë të Teatrit të Operas dhe Baletit”, thotë sopranoja Eva Golemi.

“Është kënaqësi e veçantë, sepse duke parë që tashmë pothuajse në të gjitha qytetet kryesore të Shqipërisë ne jemi duke kënduar këto opera të bukura, vijmë më afër publikut dhe jemi më drejtpërdejtë me të, sepse i ka munguar qyteteve ky zhanër muzikor, ky repertor që është paksa repertor i veçantë”, thotë Armaldo Kllogjeri, tenor.

Është hera e parë që Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit vjen në Durrës me një vepër operistike, e cila do të shfaqet edhe mbrëmjen e së dielës në teatrin “Aleksandër Moisiu”.

Top Channel