Duro: Flamurtari është mësuar me dënime

28/10/2017 13:58

Pjesën më të madhe të karrierës së tij si futbollist, por edhe si trajner Shpëtim Duro e ka kaluar te Partizani, me të cilën ka arritur shumë suksese, por kjo nuk e zhbilancon në profesionalizmin e tij sot, si trajner i Flamurtarit.

Në një sezon që duket se ka nisur mbarë për skuadrën vlonjate, Duro kërkon të lërë shenjë dhe këtë kërkon ta bëjë edhe me kundërshtarë si Partizani, me të cilin vlonjat do të përballen të dielën në stadiumin “Selman Stërmani”.

“Është e veçantë për mua që të jem si kundërshtar i Partizanit, pasi një pjesë të karrierës sime si futbollist dhe si trajner i kam kaluar te kjo skuadër. Sigurisht ne e kemi potencialin e duhur për të përballuar si Partizanin ashtu dhe skuadrat e tjera”, u shpeh Duro.

Shpëtim Duro nuk e kurseu ironinë ndërkohë për dënimin që Komisioni i Disiplinës dha të premten në dëm të skuadrës së tij. “Nuk është mirë që ky dënim erdhi 2 ditë përpara ndeshjes, por unë jam trajner dhe nuk më takon të flas për këtë. Megjithatë, duke parë po e bëj vitin këtu te Flamurtari, mund të them fare mirë se jemi mësuar me këtë”.

Flamurtari pas 7 javësh kampionat ndodhet në vendin e tretë në klasifikim me 12 pikë, me një 1 më shumë se Partizani që është ndjekës i vlonjatëve.

Top Channel