Dorëhiqet Magani: ‘Fituan’ senatorët e Teutës

28/10/2017 16:13

Gugash Magani nuk është më trajneri i Teutës. Në një deklaratë live në emisionin “Gol pas goli”, trajneri peqinas ka dorëzuar skuadrën, duke deklaruar se është ndjerë i tradhëtuar nga ‘senatorët’.

“Ndodhi e njëjta histori që ka ndodhur në javët e fundit. Shënojmë të parët, por humbasim personalitetin. Unë jam fajtor për situatën. dhe mendoj që nga ky moment ta mbyll me Teutën. Respektoj bvesimin e drejtuesve, por më duhet të dorëhiqem, sepse kam humbur kontrollin në këtë skuadër. Në skuadër kisha disa senatorë, të cilëve u kam dhënë besim, por ata më kanë fyer. Nga sot nuk jam më trajner i Teutës”, u shpreh Magani.

Edhe pse Magani ishte me tensionin e humbjes së katërt radhazi, u shpreh se dorëheqja ishte menduar që një javë më parë, pasi ai ka respektuar gjithnjë besimin e drejtuesve.

“Skuadra ka nevojë për një fytyrë të re. Por sido që të jetë, trajneri i ri fillimisht duhet të këpusë kokat e ‘senatorëve’, sepse ata janë përgjegjës për këtë situatë. Unë nuk arrita ta bëj këtë gjë, ndaj sot marr përgjegjësinë duke dhënë dorëheqjen”, u shpeh Magani.

Gugash Magani është trajneri i 5-të i dorëhqur nga Superiorja, pas 8 javëve të para.

Top Channel