UEFA dënon Skënderbeun. Një ndeshje pa tifozë, për racizëm

27/10/2017 20:10

Në fushë ishte çdo gjë brenda normave të “Fair Play”-t, ndërsa e gjithë transferta e Partizanit të Beogradit në Shqipëri shkoi pa asnjë incident, pavarësisht tensionit. E pavarësisht kësaj, raporti i delegatit të ndeshjes ka penalizuar Skënderbeun.

Skuadra e vetme shqiptare e mbetur në kompeticionet europiane të futbollit do të vuajë një ndeshje pa spektatorë në stadium, për shkak të koreve raciste dhe sjelljes jo korrekte të tifozëve në ndeshjen e zhvilluar në “Elbasan Arena” më 19 tetor.

Burime pranë ekipit korçar konfirmuan jozyrtarisht dënimin. Por, mbeten mister arsyet për sanksionin ekstrem të UEFA-s, pasi veç ofendimeve sporadike në impiant nuk u verifikua asgjë që mund të vendoste skuadrën mike nën presion.

Skënderbeu barazoi pa gola ndaj Partizanit të Beogradit, duke marrë një pikë, që e mban në lojë për kualifikimin. Më herët në këtë sezon, UEFA ka gjobitur ekipin korçar pas ndeshjes me Dinamon e Zagrebit, me një motiv sa ironik, aq edhe qesharak, pas kërkesës së folësit të stadiumit për të mbështetur vendasit.

Top Channel