Thaçi, takime me zyrtarë të NATO-s: Ushtria, sipas Kushtetutës

27/10/2017 19:28

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar këtë të premte një seri takimesh me përfaqësues të NATO-s, takime të cilat ai i ka cilësuar si shumë pozitive.

Në profilin e tij në rrjetet sociale, Thaçi ka bërë me dije se, me zv.sekretaren Rose E. Gottemoeller ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit dhe mbi transformimin e FSK-së në ushtri.

“U pajtuam se do të shterim të gjitha mundësitë që transformimi i FSK-së të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve të Kosovës”, ka deklaruar Thaçi.

Ai ka theksuar se, sa më parë Kosova dhe rajoni të bëhen pjesë e NATO-s, aq më e qëndrueshme do të jetë paqja dhe stabiliteti në të.

Kreu i shtetit ka bërë me dije se, së bashku me kryeministrin Haradinaj dhe zëvendëskryeministrin Jevtiç kanë biseduar edhe me ambasadoret e SHBA-së dhe Britanisë në NATO, Kay Bailey Hutchison dhe Sarah MacIntosh.

“Në këtë takim theksuam se roli i NATO-s në Kosovë dhe rajon është i pazëvendësueshëm. Prandaj edhe ne po punojmë shumë që një ditë Kosova të jetë pjesë e NATO-s”, ka shtuar Thaçi.

Top Channel