Nis “platforma e bashkëqeverisjes”, Rama: Zgjidhje direkte për problemet

27/10/2017 11:12

Në kuadër të platformës së bashkëqeverisjes me qytetarët, Kryeministri Edi Rama prezantoi këtë të premte 25 punonjesit që do të merren me ankesat e qytetarëve.

“Aktiviteti i platformës është ende në embrion dhe ne kemi mundur të konstatojmë vlerën e shtuar të këtij instrumenti”, thotë Rama.

Për Kryeministrin ajo që nuk ka funksionuar në gjithë këto vite me Zyrën e Ankesave është fakti që as godina më e rëndësishme nuk ka mundur t’u japë njerëzve përgjigje për ankesat e tyre për arsye se procesi ka qenë pa pikë, gjë e cila nëpërmjet kësaj platforme do të ndryshojë tërësisht.

“Kjo platformë krijon mundësinë që të zgjidhesh problemin direk me institucionin përgjegjës”, u shpreh kreu i Qeverisë.

Dhe kjo gjë, sipas Kryeministrit, do të realizohet nëpërmjet kontaktit të vazhdueshëm me njerëz të caktuar nga brenda ministrive dhe institucioneve që nuk do ta delegojnë problemin në vend tjetër, por do ta zgjidhin në vend.

“Kjo platformë është mundësia e çdo shqiptari për të qënë pjesë e koalicionit të madh të njerëzve të këtij vendi. Kjo ka për ta bërë këtë vend të denjë për fëmijët tanë dhe po ashtu është arma e çdo shqiptari që e do Shqipërinë me shtet, punë, mirëqënie”, vijoi Kryeministri.

800 kandidatë aplikuan për këtë projekt dhe në fazat e seleksionimit u reduktuan në 25 të tillë që u trajnuan intensivisht për mënyrën se si do të trajtohet çdo kërkesë dhe ankesë.

Top Channel