Ruçi me kryeparlamentarët e rajonit: BE, alternativa jonë e vetme

27/10/2017 12:15

Anëtarësimi i plotë në Bashkimin Europian mbetet një qëllim i përbashkët i vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë konferencës së kryeparlamentarëve të këtij rajoni, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi informoi pjesëmarrësit në lidhje me ecurinë e Shqipërisë në proceset integruese.

“Kuvendi shqiptar ka miratuar me konsensus të gjerë ligje në kuadër të reformës zgjedhore dhe asaj në drejtësi, duke përmbushur një nga detyrimet kryesore që Shqipëria ka në këtë fazë të procesit të integrimit në BE”, u shpreh ai.

Ruçi thotë se prioritet i institucionit që ai drejton është forcimi i dialogut politik, i konkretizuar sipas tij tek marrëveshja e 17 majit mes Ramës dhe Bashës.

“Marrëveshja e 17 majit solli përmirësimin e klimës politike në vend dhe riktheu opozitën në Parlament. Në kuadër të Reformës në Drejtësi, Kuvendi ka vijuar me miratimin e ligjieve prioritare që i shërbejnë integrimit. Kuvendi ka miratuar planin e veprimit për zbatimin e rekomandimeve të raportit të Komisionit Europian”, deklaroi Ruçi.

Kryeparlamentari shqiptar tha se integrimi i plotë në BE mbetet interesi kryesor kombëtar dhe objektivi strategjik i Shqipërisë.

Top Channel