“Platforma e bashkëqeverisjes”, reagon Petrit Vasili

27/10/2017 14:48

Pas prezantimit të nisjes së punës së ankesave online për qytetarët nga ana e Kryeministrit Edi Rama, ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vasili ironizon me nismën e qeverisë.

“Kryeministri, që s’i kthen as përgjigje popullit, do që të bëjë aleancë me të. Ky kryeministri na thotë që as ushtria që ka në Kryeministri nuk i paska kthyer përgjigje hiç ankesave dhe kërkesave të qytetarëve. Po kush i ndali?Po milionat e harxhuara për platformën? Po qindra rroga për vegjetuesit komentatorë brenda Kryeministrisë? Po ky vetë ku ka qenë, ku ka vegjetuar tërë këto vite, që s’i paska parë vartësit se si nuk ja varin hiç popullit? Po timonin a e kishte vetë? Po aleancën me popullin, që e paska përbuzur po vetë, a do ta bëjë? Shumë pyetje këto, edhe të vështira shumë për shkollëpaktin. Nesër do të thotë edhe për këtë ndonjë budallëk tjetër, siç bëri me TVSH e biznesit të vogël, që ca ditë kur e vuri tha e ç’nuk tha, pastaj kur e hoqi e qepi gojën. Ç’të bëjë tjetër kur nuk kupton? E thjeshtë fare: lexon e thotë vetëm ç’t’i shkruajnë. Lum ata ministra që tallen me të!”, shkruan Vasili.

Top Channel