Tension në La Liga, rrezikohet ndeshja Girona-Real

27/10/2017 17:44

Aprovimi nga Parlamenti katalanas i Pavarësisë nga Spanja dhe Kushtetuta spanjolle do të kenë një efekt të pashmangshëm edhe në sport.

Tensionet mes mbështetësve të pavarësisë dhe qeverisë qendrore do të reflektohen mbi të gjitha në ndeshjet e fundjavës në La Liga, në veçanti në ndeshjen e futbollit Girona-Real Madrid.

Sfida e programuar të zhvillohet në qytetin katalanas ka rrezik të shtyhet për një datë tjetër. Ka nga ata që flasin edhe për një ekip si Reali i Madridit, në udhëtim pa autobusin zyrtar me kurorën mbretërore, por me makina anonime.

Si të mos mjaftonte klima e tensionuar në aksin Katalonjë-Madrid, Reali do të zbarkojë në Girona në kulmin e programit për ditën e “Sant Narcis”, një festë tradicionale e provincës.

Hoteli i formacionit “Los Blancos” do të jetë i blinduar nga forcat e policisë. Sipas radios “Onda Cero”, hipotezat për të shtyrë ndeshjen, për të evituar përshkallëzimin e situatës, po marrin formë reale nga ora në orë.

Top Channel