NBA, Clippers nuk njohin humbje

27/10/2017 14:15

Los Angeles Clippers nuk njeh humbje në kampionatin e NBA.

Skuadra kaliforniane siguroi fitoren e saj të radhës ndaj Portland Trailblazers me rezultatin e ngushtë 104-103. Skuadra e Portland rivalizoi me Los Angeles Clippers gjatë gjithë ndeshjes, duke qenë për pjesën më të madhe të kohës në udhëheqje të rezultatit. Lillard e McCollum bënë një paraqitje shumë të mire, teksa të dy së bashku shënuan 48 pikë për Trailblazers, por kjo nuk i mjaftoi kësaj skuadre. Në periodën e fundit, Clippers, falë lojës së Blake Griffin, arriti të mbyllë këtë ndeshje në favorin e saj, duke i shënuar pikët e fitores në sekondat e fundit të sfidës.

Boston hakmerret ndaj Milwaukee Bucks për humbjen e pësuar javën e kaluar. Skuadra e Celtics e fitoi përballjen me Bucks 89-96, ku ata që spikatën ishin Horford me 27 pikë dhe Kyrie Irving me 24. Për Bucks, Brogdon dhe Middleton shënuan secili nga 15 pikë, por kjo nuk i mjaftoi Milwaukee për të evituar disfatën.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Atlanta Hawks u mposht nga Chicago Bulls 86-91, New Orleans Pelicans mundi Sacramento Kings 114-106, ndërsa Memphis Grizzlies fitoi me Dallas Mavericks 96-91.

Top Channel