“Interi po rikthehet”, Steven Zhang lavdëron Spallettin

27/10/2017 18:41

Bilanci në rritje dhe borxhi në ulje. Kjo është në vija të përgjithshme situata e Interit pas miratimit të bilancit nga Asambleja e ortakëve, e një panoramë e qartë e impenjimeve të “Suning” dhe rezultateve të siguruara nga kolosi kinez nën drejtimin e klubit zikaltër.

Një përmirësim që u ka lejuar zikaltërve të respektojnë edhe kornizat e rregullit “Fair Play” financiar të UEFA-s, që konsiderohet si rruga e duhur për t’u rikthyer mes më të mirëve, sigurisht duke respektuar rregullat.

I kënaqur nga e gjithë kjo ecuri, në përputhje të plotë edhe me rezultatet në fushë të Interit, është edhe Steven Zhang, djali i numrit një të gjigantit “Suning”.

“Në verë ju keni parë hashtagun #Interiporikthehet – deklaroi ai gjatë punimeve të Asamblesë së aksionerëve, – dhe atëherë u duk si diçka tepër kurajoze, sepse duhej të ishim shumë të sigurtë se Interi do të rikthehej. Për momentin, faktet tregojnë se fjala është mbajtur”.

Fakte këto që vijnë nën drejtimin e Spallettit, ndaj të cilit, mirënjohja publike nuk ka munguar.

“Më lejoni të falënderoj edhe trajnerin Luciano Spalletti dhe të gjithë stafin e tij – shtoi më tej Steven Zhang, – për punën e shkëlqyer që ka bërë prej verës e deri më sot me skuadrën. Të gjithë ata që punojnë tek Interi besoj se e bëjnë këtë me zemër. Kjo skuadër meriton të rikthehet në skenën kryesore europiane, e synimet tona janë që ta arrijmë këtë qëllim sa më shpejt të jetë e mundur. Hap pas hapi do të tregojmë rezultatet tona për ta bërë Interin një klub të qëndrueshëm, të shëndetshëm dhe të fortë”.

Top Channel