Griezmann, pranë kalimit te Barcelona

27/10/2017 13:50

Antoine Griezmann mund të ndryshojë skuadër në fund të sezonit dhe destinacioni i tij i ardhshëm duket se nuk do të jetë Manchester United, që gjatë kësaj vere bëri oferta të shumta për kartonin e futbollistit, por Barcelona.

Kjo është ajo që shkruan e përditshmja “El Mundo Deportivo” në artikullin e saj, teksa thekson se sulmuesi francez mund t’i dorëzohet tundimit për t’u transferuar në “Camp Nou”.

Gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, klubi katalanas ka shfaqur gadishmërinë që të paguajë klauzolën e Griezzman me Atletico Madrid që në 1 korrik do të zbresë nga 200 milionë në 100 milionë euro, një shifër kjo që mund të përballohet mjaft mirë nga nënkampionët e Spanjës, që e konsiderojnë blerjen e kartonit të Griezmann si një investim të rëndësishëm.

Po kështu, media katalanase e përkufizon sulmuesin francez si partnerin ideal të Luis Suarez në repartin e sulmit të Barcelonës.

Top Channel