Fernando Alonso, në 24 Orët e Dajtonës

27/10/2017 10:07

Fernando Alonso do të marrë pjesë në 24 Orët e Dajtonës, në muajin janar.

Piloti i McLaren Honda do të ketë partner në këtë garë klasike 17-vjeçarin Lando Norris, i cili pritet të jetë pilot rezervë i McLaren në Botërorin e Formula 1 në vitin e ardhshëm. Tjetër partner i Alonsos do të jetë edhe Phil Hanson.

36-vjeçari Alonso do të marrë pjesë në 24 Orët e Dajtonës për t’u bërë gati për një pjesëmarrje të mundshme edhe në 24 Orët e La Manshit.

Fernando Alonso do të garojë me McLarenin edhe për vitin e ardhshëm të Formulës 1. Alonso, i cili do të ketë shok skuadre Stoffel Vandoorne, pritej të rinovonte kontratën me McLarenin, që kur skuderia njoftoi muajin e kaluar prishjen e kontratës së furnizimit me motorët Honda, për të kaluar te njësitë motorike të Renaultit vitin e ardhshëm. Një lëvizje kjo që pritet të sjellë një kthesë të fuqishme sa i përket garave të sezonit të ri.

“Më pëlqen shumë fakti që po njoftoj vazhdimin e marrëdhënies time kontraktuale me cilindo te McLareni”, tha Alonso. “Kjo ka qenë gjithnjë dëshira ime, pasi ndihem me të vërtetë si në shtëpinë time këtu. Kjo është një skuderi fantastike, plot me njerëz të jashtëzakonshëm, me miqësi e ngrohtësi, gjëra që nuk i kam përjetuar askund tjetër në Formulën 1. Jam shumë i gëzuar që do të garoj sërish me McLarenin”, përfundoi deklaratën piloti spanjoll.

Top Channel