Azemi “rikthehet” në shtëpi; edhe LSI në ceremoninë e shtatores në Tropojë

27/10/2017 14:58

Vendosja e një shtatoreje prej bronzi të Azem Hajdarit në qendër të Bajram Currit është shndërruar në një ditë feste për qytetin dhe për opozitën, drejtuesit kryesorë të së cilës morën pjesë në ceremoninë e organizuar nga bashkia demokrate e Tropojës.

Përurimi i shtatores së Azem Hajdarit ishte një rast për të treguar afrimin mes faktorëve opozitarë, kur Lulzim Basha, Monika Kryemadhi dhe Sali Berisha qëndruan së bashku gjatë ceremonisë.

Por ky ishte edhe një rast që kreu i opozitës, Lulzim Basha, megjithëse nuk e ka njohur nga afër Azem Hajdarin, ta tregojë liderin e lëvizjes së dhjetorit si frymëzimin e tij për liri.

“Në mendjen dhe në zemrën time, kujtimi i ndritur i Azem Hajdarit vjen me mesazhin e gjallë e frymëzues se Liria nuk është një dhuratë e përjetshme, se liria u përket atyre që e duan dhe e çmojnë si më të shtrenjtën gjë në jetë, se Liria shërbehet e duhet të shërbehet me përkushtim e sakrifica. Se liria fitohet e mbahet me beteja duke shkuar çdo ditë në luftë për të! Se liria është mision për drejtuesit politikë”, deklaroi kreu i PD.

Për Sali Berishën situata aktuale është më shumë se asnjëherë momenti për t’u frymëzuar nga kurajoja dhe trimëria e Azem Hajdarit.

“Ndaj dhe sot ai është një apel, një frymëzim, sepse pas 27 vitesh, nuk mund të mos mohojmë se një vello e zezë ka mbuluar Shqipërinë, dhe kjo vello e zezë është velloja e narkotikëve, e cila bën bën votën e shqiptarëve të mos vendosë për fatin e tyre, bën emrin e tyre të mos shkëlqejë midis kombeve të tjera. Por sot ne jemi këtu, më të vendosur se kurrë, të frymëzuar nga Azem Hajdari për t’u ndarë dhe nga kjo e keqe. “Shqipëria Europiane” ishte ëndrra e Azem Hajdarit, “Shqipëria Europiane” është ëndrra e fëmijëve tanë, është ëndrra jonë, të luftojmë së bashku për t’a bërë atë realitet sa më shpejt!”, deklaroi ai.

Top Channel