Një film për gratë i bërë nga gra. Sprovat dhe vuajtjet nëpër të cilat kalojnë një grup vajzash të reja që përpiqen të kthehen në murgesha në vitet ‘60 është subjekti i filmit “Novitiate”.

Historia e Cathleenes së interpretuar nga Margaret Qualley tregon se si e reja lë të vetëm të ëmën për të hyrë në manastir si rishtare. Kryemurgesha ndërkohë gjendet mes një dyzimi të fortë sepse Vatikani ka nisur reformat në Kishën Katolike, një prej të cilave ndryshon thellësisht pozicionin dhe formimin e murgeshave. Regjizorja Margaret Betts thotë se filmi është prodhuar thuajse krejtësisht nga gra. Vetëm njëri prej drejtuesve të tij është mashkull.

“Filmat kërkojnë një bashkëpunim të jashtëzakonshëm, ndaj doja që të gjithë pjesëmarresit e tij ta shihnin më thellë dhe më së shumti nga këndvështrimi femëror”, tha Betts.

Aktoret e morën aq seriozisht rolin e tyre, sa vendosën të qëndronin në manastir gjatë xhirimeve. Personazhet tona, thotë Qualley, janë krejtësisht të shkëputura nga bota jashtë, ato frenohen nga prekja njerëzore, mësohen me heshtjen e madhe, edhe darkën e hanë pa shkëmbyer asnjë fjalë me njëra-tjetrën e mund të qëndrojnë ashtu për orë të tëra.

Në njëfarë mënyre, ishte goxha interesante kjo eksperiencë, shprehet aktorja, sepse ne jemi kaq të ngarkuara nga jeta sot e mbushur me telefonë celularë, kompjuter e televizion, shumë zhurmë rreth e rrotull që nuk të lejon të ndërgjegjësohesh për gjëra të tjera të rëndësishme në jetë.

Filmi është pritur mirë nga kritika dhe në kinematë amerikane pritet të dalë në 27 tetor.

Top Channel