Rikthim te leximi, Kumbaro: Humbëm dy gjenerata lexuesish

26/10/2017 15:09

Mes lexuesish dhe autorësh në sallën gjermane të Bibliotekës Kombëtare, Ministrja e Kulturës u bëri një ftesë të hapur mediave, por jo vetëm, të bashkëpunojnë më shumë mbi shqetësimin që ajo ndau me miqtë e librit, jo vetëm si ministre por edhe si njeri i letrave.

“Kemi humbur 2 gjenerata lexuesish, por jemi në kohë për të edukuar ata që po vijnë. Duke qenë se jemi një shoqëri që jetojmë shumë virtualisht, rrjetet sociale dhe media, secili prej nesh, le t’i kushtojë 1 minutë në ditë takimit për një libër. Do t’i bëjmë një të mirë shumë të madhe vetes dhe fëmijëve”, thotë Kumbaro.

Këtë vit nisma dedikuar librit “Tirana lexon” synon të çojë librin edhe në periferitë e kryeqytetit, si në Bibliotekën e Bathores, por edhe të kthehet në një traditë leximi, që të mbushë me lexues kafenetë e çdo qyteti.

“Tirana lexon” synon ta sjellë lexuesin jo thjesht të librit. Shumë nga ata që janë regjistruar sot në kafenetë e shumta të Tiranës do të kenë edhe krijimet e tyre dhe ndërkohë do të jenë të ulur autorë të njohur. Do të jenë që të gjithë edhe pak shkrimtarë, edhe pak lexues”, u shpreh Jonila Godole, Drejtuese e Institutit për Demokraci, Media e Kulturë.

Gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë do të shpërndahen për miqtë e librit kuponë dhuratë për blerje falas të librave online.

Top Channel