Rama e Basha: Faleminderit Donald Lu!

26/10/2017 20:03

Komentet e ambasadorit amerikan u pasuan menjëherë me falenderim nga Kryeministri Edi Rama.

Falenderimi ishte i shkurtër, por shkurtimi i emrit të Donald Lu-së tregoi tonet miqësore të kreut të qeverisë, sidomos kur ai theksoi se mesazhi i Don, ishte i njejtë me intervistën e të mërkurës të zëvendësndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit Hoyt Brian Yee.

Kryeministri Rama tha se qëndrimi i ambasadorit amerikan është një mesazh i qartë për shqiptarët që duan drejtësi.

Por Lulzim Basha, që u takua me ambasadorin Lu për çështjen “Tahiri” pas falenderimit të Ramës, foli për dëshpërim të Kryeministrit.

“Qëndrimi i qeverisë amerikane është i qartë; mbështesim pa rezerva prokurorët për të çuar para përgjegjësisë penale politikanët jo mbi ligjin”, deklaroi Basha.

Kreu i opozitës foli i sigurtë për fajësinë e ish-ministrit të Brendshëm.

“Saimir Tahiri nuk do t’i shpëtojë drejtësisë. Faktet e dala publikisht dhe ato që disponon Prokuroria dhe partnerët do të bëjnë që ai të marrë përgjegjësi penale”, thotë kreu i PD-së.

Por synimi i opozitës, e cila kërkon një qeveria antimafia, nuk është vetëm dalja e Saimir Tahirit para drejtësisë.

“Saimiri nuk është fundi. Beteja për çmontimin e narkoshtetit sapo ka nisur. PD do të bëjë gjithçka që Rama të mbajë përgjegjësi politike dhe penale”, u shpreh Basha.

Top Channel