Rekord tifozësh në “Loro Boriçi” për ndeshjen e 19-vjeçarëve

26/10/2017 12:04

Numri i tifozëve në shkallët e stadiumeve të Kategorisë Superiore në shumë takime është i pakët, por e veçanta ndodh në Shkodër.

Tifozët shkodranë njihen për mbështetjen e flaktë ndaj skuadrës së zemrës, Vllazninë. Por kur ekipi i parë nuk është në ditët e tij më të mira, skuadra e 19-vjeçarëve këtë sezon mori pjesë për herë të parë në Kupat e Europës.

Edhe pse u mundën në ndeshjen e parë 1-3 nga bashkëmoshatarët e tyre moldavë të Zimbru dhe kualifikimi ishte mjaft i vështirë, tifozët i kanë dhënë një mbështetje të madhe skuadrës së tyre.

Një tribunë e mbushur plotë, me gati 2 mijë tifozë është parë në takimin e kthimit në “Loro Boriçi”. Por edhe pse e mbështetur nga një numër i madh tifozësh, sërish 19-vjeçarët e Vllaznisë nuk mundën të kualifikohen për më tej, pasi ndeshja u mbyll në barazim 1-1.

Top Channel