“Fiks Fare”, emërime politike në Zjarrfikësen e Beratit

26/10/2017 20:48

“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së enjtes emërimet jashtë kritereve të ligjit dhe nepotike në Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në Berat.

Zgjedhjet lokale të vitit 2015 sollën ndryshime në repartet e zjarrfikëseve në të gjithë Shqipërinë. Repartet i kaluan nën administrim bashkive, ndërsa u hartua edhe një ligj i ri, por emërimi i punonjësve është i dyfishtë.

“Fiks Fare” verifikoi organikën ndër vite të Repartit të Shërbimit të Zjarrfikëses në Berat dhe rezulton se para vitit 2015, ky shërbim kishte 26 punonjës, ndërkohë që aktualisht janë 32 punonjës. Mësohet se janë larguar nga puna 12 persona dhe janë marrë mbi 20 punonjës të rinj.

Sipas ligjit, emërimi i punonjësve të rolit bazë bëhet nga Bashkia e Beratit, e cila drejtohet nga Petrit Sina i partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Rezulton se njoftimet për vendet vakante nuk shpallen në DAP, por në faqen zyrtare në internet të bashkisë. Ndërkohë, emërimi i punonjësve të rolit të mesëm dhe të lartë bëhet me propozim të kryetarit të bashkisë dhe emërim të Ministrisë së Brendshme. Edhe për këto emërime ka përplasje midis bashkisë dhe ministrisë.

Në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” kanë mbërritur disa informacione në lidhje me punësimet në këtë repart. Sipas ankesës, punësimet janë bërë në kundërshtim me ligjin numër 152, i vitit 2015, “Për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimi”.

Në nenin 14 të këtij ligji, i cili bën fjalë për kriteret e pranimit për shërbimin e MZSH-së, punonjësit e shërbimit ndahen në punonjës të rolit bazë, të mesëm dhe madhorë. Kriteret e pranimit për nivelin bazë të këtij shërbimi janë, ndër të tjera: të jetë i moshës nën 30 vjeç.

Sipas ankesës, pikërisht ky kriter është shkelur nga drejtuesit e këtij reparti. Krahas ankesës në lidhje me punësimet në këtë repart, në redaksinë e emisionit “Fiks Fare” erdhën informacione se disa punonjës kanë dhe lidhje nepotike me zyrtarë lokalë të qytetit të Beratit.

Gazetarët e “Fiks Fare” intervistuan disa nga punonjësit e zjarrfikëses në Berat, për të cilët kishte dhe ankesa. Ankesa për Edmond Bendajt ishte se ky punonjës është emëruar në repartin e zjarrfikëses jashtë kriterit të moshës. 42-vjeçari tha se ka filluar punë në janar të vitit 2017.

“Kam filluar me kërkesë të drejtorit, me kontratë, nuk gjendej shofer nën 30 vjeç. Kam punuar me mjete të rënda, kam patentë të klasit D. Kur të gjendet shoferi do të largohem”, thotë ai.

Ndërkohë, Mimoza Xhani, 52 vjeç, thotë se ka filluar punë në korrik të vitit 2016, por bëhet fjalë për një rikthim në punë. Ajo shton se ka filluar më parë në moshën 26-vjeçare dhe për një kohë të gjatë ka punuar në sektorin privat.

Një tjetër emërim mbi 30 vjeç është ai i Sadik Harizit, mekanik. Ai thotë se është emëruar në janar të vitit 2017, pra kur ka qenë mbi 30 vjeç.

“Nëse dikush ka gjetur një specialist të mirëfilltë, bashkëkohor, mbase edhe unë dal i paaftë, unë mund të bëj një punë mekanike dhe xhenerike. Unë jam punësuar me kontratë”, thotë ai.

Sipas ankesës rezulton se Sadik Harizi është edhe vëllai i drejtorit të Ujësjellësit. Ai thotë se është beratas, e nuk mund të punojë në Vlorë apo Shkodër.

Ndërkohë, ankesa për punonjësin Edison Isufaj ishte për largimin e tij nga radhët e Policisë së Shtetit dhe emërimin e tij në repartin e zjarrfikëses.

“Fillova punë më 11 janar të vitit 2017. Kam qenë në Polici me status civil. Më kanë larguar nga Policia në vitin 2011, për politikë. Më tha drejtori se duhet të largohem, se partia ime humbi zgjedhjet”, thotë ai.

Ankesa e radhës ishte për punonjësin Aselito Filaj, nipi i kryetarit të Bashkisë së Beratit, Petrit Sino.

“Unë dajë e kam kryetarin. Te kjo punë s’ka lidhje fare daja. Unë jam punonjës te zjarrfikësja, ai në bashki. Është çdo gjë ndryshe. Atë e kam dajë në shtëpi. Unë jam nga fshati Paftan. Kam filluar para një viti e gjysmë, në datën 3 korrik 2016”, thotë ai, pra një vit pas zgjedhjes së Sinës si kryetar i Bashkisë së Beratit.

23-vjeçari thotë se kishte mësuar për vendin e punës, bëri konkursin dhe u pranua, ndërsa nuk mban mend sa kandidatë të tjerë kanë qenë. “Kam shkuar edhe në terren, kam luftuar mirë në çdo zjarr. Para 6-7 muajsh kam dalë më i miri nga grupi. Kam marrë edhe fletë lavdërimi për këtë punë”, thotë ai.

Gazetarët intervistuan edhe drejtorin e Zjarrfikëses, Luman Spathara. Ai thotë se bëhet fjalë vetëm për dy punonjës, por fajin ia hedh ligjit. Më tej shton se ka lajmëruar bashkinë dhe Ministrinë e Brendshme, por verbalisht, dhe ende nuk ka një përgjigje. Në lidhje me emërimet nepotike, ai thotë se nuk mund të paragjykojë.

“Ata konkuruan dhe fituan”, thotë ai, ndërsa mësohet se konkursi fillon me veprime praktike, përhapja e tubacioneve dhe veshja.

Pas pretendimeve, gazetarët iu drejtuan Bashkisë së Beratit. Drejtoresha e Marrëdhënieve me Publikun tha se kompetenca për emërimin e punonjësve është e drejtorit të zjarrfikëses. Megjithatë, në ligjin e vitit 2015, emërimi i punonjësve të rolit të mesëm dhe të lartë bëhet me propozim të kryetarit të bashkisë, drejtuar Drejtorisë së Shërbimit Zjarrfikës në Ministrinë e Brendshme. Pra, siç kuptohet, kemi një përplasje midis Bashkisë së Beratit dhe Drejtorisë së Shërbimit Zjarrfikës në Ministrinë e Brendshme.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA