“Të ndalen sulmet ndaj gazetarëve”

26/10/2017 13:47

Federata Europiane e Gazetarëve u bashkua me qëndrimin ndaj degës së saj, Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, atë të Shoqatës së Medias Elektronike Shqiptare dhe Lidhjes së Gazetarëve Shqiptarë në përcjelljen e indinjatës së thellë ndaj fyerjeve dhe sulmeve që kryeministri Edi Rama i bëri mediave vendase 25 tetorin e vitit 2017.

Pas seancës plenare të Parlamentit, ku shumica në pushtet votoi kundër kërkesës për heqjen e imunitetit me qëllim arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, i dyshuar për lidhje me aktivitetin e një bande italo-shqiptare të narkotrafikut, kryeministri iu drejtua gazetarëve gjatë transmetimit “live” të disa televizioneve duke i thënë se pyetjet e tyre burojnë nga padituria e duhet t’iu vijë turp nga ato që deklarojnë.

Federata e dënoi veprimin e shefit të ekzekutivit, ndërsa gazetarët i inkurajon të vazhdojnë punën e tyre duke kujtuar se çdo reporter ka të drejtën të ngrejë pyetje që politikanëve mund të mos i pëlqejnë, por kjo nuk është arsye për t’i frikësuar ata e për t’i sulmuar në punën e vet investigative.

Kjo sjellje e përsëritur në drejtim të gazetarëve shqiptarë duhet të marrë fund, thuhet në deklaratën e saj.

Top Channel